Dr.sc. Ekrem Beqiri u lind në Pejë, më 10 mars 1944. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Pejë, ashtu si edhe Gjimnazin në vitin 1962, me sukses të shkëlqyeshëm. Po në këtë vit i regjistron studimet universitare pranë Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Universitetin e Beogradit. Studimet i përfundon në drejtimin e Inxhinierisë kimike të këtij fakulteti në vitin 1967, me sukses të dalluar. Studimet pasuniversitare i vazhdon në të njëjtin drejtim të Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Beograd dhe i përfundon ato në vitin 1972 me sukses të shkëlqyeshëm. Po në këtë fakultet në vitin 1982 mbron tezën e doktoratës. Pas kryerjes së studimeve universitare , në vitin 1968 punësohet në Shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë, së pari në thirrje të asistentit, kurse në vitin 1969 në thirrje të profesorit të Shkollës së Lartë. Vazhdon me punën në Shkollën e Lartë Ekonomike – Komerciale në Pejë, po ashtu në thirrje të profesorit.
Për qëllime të ndryshme profesionale në vitin 1966, nëpërmes IASTE qëndron dy muaj në Poloni, në Institutin e Fakultetit Politeknik në Napoli (viti 1974) qëndron gjashtë muaj, dhe gjashtë muaj të tjerë si student i Fulbright-it pranë Institutit Politeknik “Rensselaer” në ShBA. Që nga viti 1972 është angazhuar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, ku në vitin 1983 punësohet në këtë fakultet në thirrje të docentit për lëndën Operacionet teknologjike.
Dr.sc. Ekrem Beqiri ishte aktiv edhe në fushëveprimet e tjera, ku trajton dukuritë e ndryshme të jetës shoqërore dhe politike të Kosovës (revista Alternativa, Republika dhe Forumi). Është njëri ndër themeluesit e Komitetit Kosovar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe nënkryetar i këtij komiteti, kryetar i Bordit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur. Ka qenë anëtar i Bordit të Universitetit të Prishtinës. Në periudhën 1996 -1999, profesor Beqiri ishte nënkryetar i Këshillit Shkencor të Institutit “Riinvest”, ku edhe punoi rregullisht që nga viti 2000 si menaxher i disa projekteve me rëndësi të madhe shoqërore. Ai bashkërendoi punën e intelektualëve kosovarë për hartimin e raportit të parë për zhvillimin njerëzor për UNDP. Më se katër vjet udhëhoqi projektin e rëndësishëm të Sistemit të paralajmërimit të hershëm duke prodhuar 14 raporte RPH me një përkujdesje dhe sukses të jashtëzakonshëm. Projekti lidhur me ndikimet e shfrytëzimit të xeheve në zhvillimin e komunitetit i punuar për nevojat e Bankës Botërore dhe i udhëhequr nga profesor Ekrem Beqiri, vlerësohet shumë lart në promovimin e praktikave të avancuara të involvimit të komuniteteve në konsultimet për zhvillimin e minierave dhe në përfitimet nga eksploatimi i tyre. Duke dashur që të kontribuojë me dijen e tij poliedrike dhe kreativitetin e madh, u inkuadrua aktivisht në përgatitjen e lansimit të Universitetit Riinvest si ideator, bashkëpronar dhe anëtar i Bordit Drejtues. Profesor Beqiri udhëhoqi grupin e ekspertëve për vlerësimin e dëmeve të luftës në Kosovë, në kuadër të ekipit të ekspertëve për ekonomi e financa dhe mori pjesë në njërën nga raundet e bisedimeve në Vjenë lidhur me aspektet ekonomike.
Ka qenë autor ose bashkautor i 6 teksteve universitare dhe rreth 40 artikujve shkencorë afro gjysma prej tyre të botuar dhe prezantuar jashtë Kosovës. Profesori Ekrem ka qenë një nga kontribuuesit më frytdhënës në “Forumi 2015”. Afinitete të shquara kishte në fushën e dizajnit dhe ka fituar në një numër të konsiderueshëm të konkurseve për logo të institucioneve dhe organizatave të ndryshme. Është autor i logos së parë të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe i logos së Trupave të Mbrojtjes të Kosovës.
Profesor Beqiri ka qenë intelektual poliedrik i profilit të lartë. Ndonëse me vokacion profesor i inxhinierisë kimike, profesor Beqiri kishte një kulturë të gjerë, mund të thuhet pa hezitim, poliedrike. Veçanërisht njihte mirë problemet sociale dhe ekonomike, e po ashtu, edhe problemet politike. Ishte një lloj i suksesshëm në zbatimin e metodave dhe modeleve kuantitative e po ashtu edhe kualitative të kërkimit shkencor. Me ndershmërinë më të madhe i vente vetes standarde të larta rigoroziteti, por po aq ishte i gatshëm t’i udhëzonte dhe t’i ndihmonte të tjerët që të avancojnë në metodologjinë e të kërkimit shkencor. Punonte i heshtur por ishte vullkan i pashuar në dëshirën dhe punën e tij për të mirën e arsimit, dijes dhe përparimit në Kosovë. Interesin personal e vente larg nën atë nacional dhe shoqëror. Humanist i rrallë. Ndonëse shumë i preokupuar dhe angazhuar në problemet e zhvillimit të Kosovës dhe atë në disa fusha njëkohësisht: arsimore – edukative, kërkimore, humanitare dhe angazhimit civil, vëmendja e shoqërisë shpesh e ka anashkaluar nga injoranca se kishte të bëjë me njërin nga intelektualët e vet më të mirë dhe nga injoranca që pengonte që në masë të nevojshme ta njohë dhe përdorë zellin, dijen, korrektësinë e tij.
Mr.Vjollca Jashanica u lind në Suharekë. Fakultetin e Bujqësisë e kreu në Prishtinë më 1989, ndërsa më 2005 magjistroi në Universitetin e Sarajevës në shkencat e agronomisë. Para se të fillonte punën në Institutin “Riinvest”, V. Jashanica para lufte punoi në disa ndërmarrje bujqësore, duke dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e metodave bashkëkohore në përdorimin e agroinputeve.
Pas përfundimit të luftës, ajo u angazhua në disa projekte të rëndësishme të FAO në Kosovë si këshilltare nacionale në fushën e prodhimit dhe përpunimit të farërave. Nga fiti 2004 deri në punësimin e saj në Institutin “Riinvest”, ajo dha kontributin e saj si eksperte e pakontestueshme në këtë sektor duke u angazhuar në këshillime/trajnime për fermerë, aftësimin e këshilltarëve publikë dhe privatë.
Vjollca Jashanica u punësua në Institutin “Riinvest” në prill të vitit 2006 si hulumtuese e lartë. Fillimisht ajo u angazhua si fascilitatore në Projektin DELTA. Shquhej për përkushtim të jashtëzakonshëm në punë, aftësi hulumtuese dhe organizative. Ajo u angazhua si hulumtuese dhe dha kontribut të vlefshëm edhe në disa projekte të tjera të “Riinvest”-it, si Qeverisja korporative dhe transparenca në ndërmarrjet publike në Kosovë dhe Industria pyjore-sfidat e zhvillimit dhe shfrytëzimit të balancuar. Si menaxhere e projektit “Modernizimi i shërbimeve komunale” tregoi aftësitë e saja menaxheriale dhe analitike.
Ishte shumë e dedikuar për “Riinvest”-in. Me tiparet e saja si personalitet me karakter të fortë njerëzor dhe profesional, përherë krijonte atmosferë pune dhe optimizëm për të ardhmen e “Riinvest”-it. Vdekja e saj e hershme ishte një goditje e rëndë për familjen dhe Institutin tonë.