Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Story

#RiinvestStory006

Sektori bankar në Kosovë

Normat e interesit të kredive në Kosovë në vijimësi janë vlerësuar si të larta, si nga bizneset ashtu edhe nga amvisëritë. Megjithatë, në vitet e fundit ka pasur një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të financimit nga bankat komerciale në Kosovë. Siç shihet më poshtë në Figurën 1, normat e interesit të kredive në Kosovë kanë shënuar rënie të vazhdueshme në dekadën e fundit. Për më tepër kjo rënie është më e larta në rajon, me mbi 30 përqind krahasuar me rënien mesatare të normave të interesit të kredive të vendeve të Ballkanit perëndimor. Krahasuar me vitin 2004 norma e interesit të kredive në Kosovë është më shumë se përgjysmuar duke u ulur për mbi 7.5 pikë përqindjeje. Normat e interesit të kredive në Kosovë mbesin më të larta se ato të Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës, përderisa janë më të ulëta se ato të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë. Për më tepër, duhet cekur se trendi i uljes së normave të interesit në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2017 siç konfirmohet nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (shënim: të dhënat e përdorura në këtë tregim janë marrë nga Banka Botërore me qëllim që të jenë të krahasueshme me vendet tjera të rajonit. Të dhënat e raportuara për Kosovën nga ky burim janë të ngjashme me ato të Bankës Qendrore të Kosovës). 

Image

Sa i përket normës së interesit në depozita, Kosova ka normën më të ulët në krahasim me vende e rajonit, mirëpo ngushtimi i dallimit ndërmjet normës së interesit në kredi dhe depozita është më i larti përgjatë kësaj periudhe. Shtimi i kujdesit nga bankat gjatë huadhënies, fuqizimi i mekanizmave mbikëqyrës nga BQK-ja dhe shtimi i instrumenteve që lehtësojnë zbatimin e kontratave kanë rezultuar edhe në uljen e normës së kredive jo-performuese. Kjo gjithashtu mund të  reflektojë edhe vetë-përjashtimin e konsumatorëve për të marrë kredi si dhe rritjen e përshpejtuar të kredive. Sido që të jetë, norma e kredive jo-performuese në Kosovë është më e ulëta në rajon dhe qëndron tek niveli 6 përqind (Figura 2). Gjithashtu, kjo normë ka shënuar një ulje të ndjeshme në vitet e fundit pas rritjes së normës së kredive jo-performuese në vitin 2013, kur ishte mbi 8.5 përqind. Pra, Kosova vazhdon të ketë cilësinë më të lartë të portofolit kreditor nga vendet e Ballkanit perëndimor. 

Image

Në përgjithësi, industria bankare në Kosovë ka shënuar përmirësim të ndjeshëm të performancës së saj duke përmirësuar indikatorët kryesorë. Megjithatë, përmirësimi i mëtutjeshëm i mekanizmave për zbatimin e kontratave, përmirësimi i raportimit financiar të kredimarrësve, ulja në vijimësi e shkallës së koncentrimit, krahas uljes së shpenzimeve administrative do të mundësonin përmirësim të mëtejmë të kushteve të financimit në Kosovë.

Arkiv

Sa orë në javë punojnë Kosovarët?

Më shumë

Fuqia e Diasporës!

Më shumë

MSA, një vit pas!

Më shumë

Punësimi i pasigurt: gratë në sektorin privat

Më shumë

Çfarë po ndodhë me punësimin në të zezë në Kosovë?

Më shumë

Të ardhurat personale sipas sektorëve në Kosovë. Kush sa paguan?

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë