Shkruan: Alma Bajramaj
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbeten relativisht të fragmentuara dhe duke bërë që potenciali i përbashkët për produktivitet, konkurrueshmëri dhe tërheqje të investimeve të mbetet i pashfrytëzuar plotësisht. Pikërisht për t'iu përgjigjur kësaj, në vitin 2020 u krijua korniza e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market – CRM). I frymëzuar nga katër liritë themelore të BE-së, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, CRM synon jo vetëm lehtësimin e bashkëpunimit të brendshëm ekonomik, por edhe përgatitjen graduale dhe strukturore të rajonit për pjesëmarrje në Tregun e Vetëm Evropian.
Në këtë kuadër, Plani i Veprimit për periudhën 2025–2028, i njohur si CRM 2.0, e çon këtë proces integrimi një hap strategjik më tej. Përveç konsolidimit të katër lirive bazë, ky plan i ri vendos një theks të veçantë në krijimin e kushteve për rritje afatgjatë ekonomike, përshpejtimin e tranzicionit digjital e të gjelbër, si dhe harmonizimin më të shpejtë me rregullat dhe standardet e BE-së. Në të njëjtën kohë, CRM 2.0 përfaqëson shtyllën e dytë të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Logjika pas kësaj qasjeje është e qartë: tregje më të integruara krijojnë ekonomi shkalle, rrisin konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe e bëjnë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj. Sipas vlerësimeve zyrtare të Bankës Botërore, zbatimi i plotë i instrumenteve të CRM-së ka potencialin ta rrisë produktin vendor bruto të rajonit deri në 6.7%.
Ndonëse objektivat makroekonomike janë ambicioze, zbatimi i tyre në terren mbetet sfida kryesore, veçanërisht në dimensionin e zhvillimit dhe lëvizshmërisë së kapitalit njerëzor. Gjatë dekadës së fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar nivele të larta të emigrimit jashtërajonal, me rreth 20% të popullsisë që tashmë jeton jashtë vendit. Ky eksod i vazhdueshëm ka rritur presionin mbi bizneset lokale për të gjetur dhe mbajtur punëtorë të kualifikuar. Sipas të dhënave të Balkan Barometer 2024, 70% e bizneseve në rajon mbështesin politika publike për ruajtjen e fuqisë punëtore, ndërsa 25% e tyre tashmë po konsiderojnë rekrutimin e punëtorëve nga vendet e tjera fqinje.
Për Kosovën, kjo çështje merr një rëndësi të veçantë. Si vendi me popullsinë më të re në rajon, Kosova teorikisht duhet të kishte një avantazh konkurrues në kapitalin njerëzor. Megjithatë, emigrimi i vazhdueshëm dhe mungesa e profileve profesionale në sektorë të caktuar po e vënë këtë përparësi në pikëpyetje. Në fakt, sipas anketës së Institutit Riinvest (2025), mungesa e fuqisë punëtore dhe emigrimi vazhdojnë renditen nga bizneset si ndër barrierat kryesore për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend. Krahas tyre, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe niveli i lartë i informalitetit vazhdojnë të përbëjnë sfida të rëndësishme për tregun e punës në Kosovë.
Një pjesë e këtyre sfidave lidhet me karakteristikat strukturore të ekonomisë kosovare. Me popullsi relativisht të re dhe çdo vit numër i konsiderueshëm të rinjsh që hyjnë në tregun e punës, ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës nuk ka qenë i mjaftueshëm për të absorbuar plotësisht këtë ofertë të re të fuqisë punëtore. Papunësia mbetet veçanërisht e lartë tek të rinjtë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë në punësim, arsim apo trajnim.
Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e integrimit të tregut rajonal të punës për Kosovën nuk qëndron vetëm tek adresimi i thjeshtë sasior i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe tek krijimi i një hapësire më të gjerë ekonomike ku aftësitë, kualifikimet dhe mundësitë e punësimit mund të qarkullojnë më lirshëm.
Zbatimi i plotë i marrëveshjeve të CRM 2.0 do të krijonte kushtet për një treg pune më të integruar për mbi 18 milionë qytetarë të Ballkanit Perëndimor. Një qarkullim më i lirë i aftësive dhe i fuqisë punëtore do t'u mundësonte sektorëve që tashmë përballen me mungesa strukturore të punëtorëve, si ndërtimi, turizmi, bujqësia, teknologjia e informacionit, dhe kujdesi shëndetësor, të plotësojnë nevojat e tyre brenda rajonit. Në të njëjtën kohë, krijimi i rrugëve të sigurta dhe të formalizuara për punësim ndërkufitar do të reduktonte varësinë nga punësimi informal, duke përmirësuar mbrojtjen e punëtorëve dhe duke rritur të hyrat tatimore dhe pensionale. Po ashtu, afërsia gjeografike dhe kulturore ndërmjet vendeve të rajonit do të ulte kostot e rekrutimit dhe do të lehtësonte integrimin më të shpejtë të fuqisë punëtore në vendin e punës.
Për të mbyllur hendekun e aftësive, ku rajoni mbetet prapa mesatares së BE-së, parashihet harmonizimi i arsimit profesional, zhvillimi i politikave të përbashkëta STEM, aftësitë digjitale e të gjelbra dhe krijimi i standardeve të njëtrajtshme profesionale. Kjo është qenësore në një kohë kur teknologjia dhe tranzicioni i gjelbër kërkojnë profile të reja pune. Ndërkaq, risia e CRM 2.0 është bartja e të drejtave sociale dhe harmonizimi me standardet e BE-së. Kjo përfshin krijimin e një Rrjeti Rajonal të Sigurimeve Sociale dhe diskutimet për bartjen e pensioneve. Këto masa janë parakusht për një treg ndërkufitar, sepse njerëzit nuk lëvizin vetëm për pagë, por edhe për sigurinë afatgjatë dhe mbrojtjen sociale të familjeve të tyre.
Ndonëse ekzistojnë shqetësime se hapja e tregut mund të nxisë një "largim të brendshëm" të trurit drejt qendrave më të mëdha rajonale, ky supozim neglizhon faktin se konkurrenca e vërtetë për fuqinë tonë punëtore vjen nga Bashkimi Evropian. Pa një treg rajonal të integruar që ofron masë kritike për të tërhequr investime me vlerë të lartë të shtuar dhe paga më të larta, rajoni do të vazhdojë të humbasë talentet e tij në mënyrë permanente drejt tregut evropian.
Liria e lëvizjes dhe njohja e kualifikimeve janë komponentë thelbësorë mbi të cilët funksionon vetë BE-ja. Për Kosovën dhe tërë rajonin, demonstrimi i progresit të prekshëm dhe teknik në këto fusha, larg tensioneve politike bilaterale që shpesh bllokojnë apo zvarrisin ratifikimet, është kritik për të avancuar në negociatat e pranimit. Meqenëse qasja në fondet e Planit të Rritjes është e kushtëzuar me integrimin e brendshëm, jetësimi i CRM 2.0 nuk është më një çështje zgjedhjeje, por një parakusht zhvillimi. Duke u mbështetur në komponentin e kapitalit njerëzor, rajoni ka mundësinë ta shndërrojë lëvizshmërinë ligjore në një alternativë praktike dhe me kosto efektive, duke i dhënë sektorit privat oksigjenin e duhur për stabilitet dhe rritje afatgjatë.
*Ky opinion është përgatitur në kuadër të angazhimit të Institutit Riinvest në Civil Society and Think Tank Forum, një nga platformat kryesore të dialogut të shoqërisë civile në kuadër të Procesit të Berlinit.