Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Blog

Refleksione nga Forumi Ekonomik Vjetor i Institutit Riinvest (FEV25)

Sektori i jashtëm i Kosovës: Alarmi i heshtur i ekonomisë

Nga: Alma Bajramaj

Sektori i jashtëm i Kosovës mbetet nën presion të vazhdueshëm, duke reflektuar jo vetëm dobësitë e brendshme strukturore, por edhe pasiguritë gjithnjë e më të mëdha në mjedisin global. Kjo situatë pasqyrohet në të gjithë komponentët kryesorë të sektorit: deficiti tregtar po thellohet me ritme shqetësuese; shërbimet, ndonëse rriten, mbeten të varura nga faktorë të jashtëm dhe sezonalë; remitencat tregojnë shenja ngadalësimi; ndërsa investimet e jashtme direkte vazhdojnë të orientohen kryesisht drejt aktiviteteve jo-produktive. 

Përkeqësimi i bilancit tregtar gjatë viteve të fundit është vetëm një nga pasojat e këtij konfigurimi të brishtë. Hendeku mes importeve dhe eksporteve është zgjeruar sërish, duke reflektuar një ekonomi që konsumon shumë më tepër sesa prodhon dhe që ende nuk ka arritur të ndërtojë mekanizma të qëndrueshëm konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Ky zhvillim nuk mund të shpjegohet më si fenomen ciklik apo si efekt kalimtar i pasigurive globale; por është një tregues i qartë i problemeve të akumuluara strukturore që po kufizojnë rritjen dhe aftësinë për gjenerim të vlerës së shtuar.

Deficiti tregtar më i thellë i dekadës

Gjatë muajve janar–shtator 2025, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën përreth dhjetë përqind, duke arritur në rreth 3.8 miliardë euro. Kjo rritje, megjithatë, u tejkalua me shpejtësi nga importet, të cilat arritën në 6.1 miliardë euro. Në tregtinë e mallrave veçanërisht situata është edhe më e rënduar ku eksportet kanë shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin paraprak, ndërkohë që importet janë rritur me ritme dyshifrore. Deficiti i mallrave ka arritur në –4.2 miliardë euro vetëm për nëntëmujorin e parë, ndërsa mbulueshmëria e importeve me eksporte ka rënë në nivelin më të ulët të dekadës.

Një problem qenësor i sektorit të jashtëm mbetet struktura e eksporteve, e cila kryesisht ka mbetur e pandryshuar ndër vite. Metalet bazë dhe artikujt prej tyre vazhdojnë të dominojnë, duke përbërë rreth një të katërtën e totalit të eksporteve — një varësi që e bën ekonominë mjaft të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Edhe pse pas tyre vijojnë kategori të tjera me nivel të ulët përpunimi, struktura mbetet e orientuar kryesisht drejt mallrave me vlerë të ulët të shtuar.

Të dhënat statistikore dëshmojnë se pjesa më e madhe e eksporteve janë produkte të ndërmjetme, shpesh herë të varura nga importi i inputeve. Kjo e ankoron Kosovën në segmentet e mesme të zinxhirit global të prodhimit. Me fjalë të tjera, ekonomia nuk operon as në fazat bazike të furnizimit me lëndë të papërpunuara vendore, e as në fazat e avancuara të finalizimit, ku gjenerohet pjesa më e madhe e vlerës ekonomike. Megjithatë, një zhvillim me trend pozitiv është rritja e diversitetit të produkteve. Gjatë dekadës së fundit numri i artikujve të eksportuar është zgjeruar me 22.5 përqind. Bizneset e Kosovës eksportojnë mesatarisht rreth 723 produkte në vit (në nivelin HS 4-shifrorë), duke dëshmuar një bazë të gjerë të ofertës së tyre.

Iluzioni i rritjes së shërbimeve

Eksporti i shërbimeve po rritet dhe kjo deri diku zbut hendekun e madh ne bilancin tregtar. Nga ana tjetër struktura e tyre e bën këtë rritje më pak të qëndrueshme. Rritja e shërbimeve viteve të fundit është ndikuar kryesisht nga faktorë afatshkurtër dhe sezonalë, ku pjesën dërrmuese e përbëjnë shpenzimet e diasporës gjatë sezonit veror dhe rritja e numrit të fluturimeve—të dyja të llogaritura në këtë kategori. Këto shërbime varen drejtpërdrejt nga dinamika e lëvizjes së diasporës, që është jashtë kontrollit të politikave vendore. Brenda kësaj strukture, rolin më domethënës afatgjatë e kanë shërbimet kompjuterike, të informacionit dhe të telekomunikacionit. Megjithatë, edhe pse ky segment po rritet, momentalisht kontribuon vetëm rreth nëntë për qind në vlerën totale të eksporteve të shërbimeve. Për më tepër, shërbimet TIK mbeten të ekspozuara ndaj rrezikut të automatizimit dhe zhvillimeve të shpejta në inteligjencën artificiale, të cilat tashmë po zëvendësojnë funksione standarde të TIK-ut. Mbetet me rëndësi kritike që ky sektor të i përshtatet këtyre zhvillimeve.

Remitencat dhe IJD-të që nuk po shndërrohen në zhvillim

Ndërkohë, dërgesat nga diaspora, që prej vitesh e mbajnë të qëndrueshëm sektorin e jashtëm, tregojnë shenja ngadalësimi të rritjes. Pavarësisht se deri në fund të gushtit të sivjetmë ato shënojnë rritje nominale prej 3.7 përqind (nga 895 në 928 milionë euro), organizatat ndërkombëtare parashikojnë se rritja reale do të frenohet për shkak të dobësimit të ekonomive ku jeton diaspora kosovare. Kjo krijon një varësi të rrezikshme, sepse për një ekonomi që prodhon pak, këto dërgesa shërbejnë si oksigjen artificial që mban të lartë konsumin dhe indirekt edhe importet.

Kjo bëhet edhe më problematike po të kemi parasysh se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të jashtme direkte, të cilat shpesh burojnë pikërisht nga kapitali i diasporës, janë të përqendruara në patundshmëri. Rreth 80 përqind e IJD-ve orientohen drejt këtij sektori, i cili jo vetëm që nuk kontribuon në rritjen e produktivitetit, por madje e zhvendos kapitalin larg sektorëve prodhues dhe inovativë, rrit çmimet në tregun e banesave dhe nxit aktivitet të karakterit spekulativ.

Koha për rishikim të politikave

Përballë këtij sfondi, bëhet e qartë se Kosova nuk mund të vazhdojë me një model ekonomik të mbështetur në konsum, remitenca dhe investime joproduktive. Sektori i jashtëm ka hyrë në një fazë që kërkon rishikim të thellë të politikave: rritja e kapaciteteve prodhuese dhe aftësisë konkurruese, orientimi i investimeve drejt sektorëve me vlerë të lartë të shtuar, diversifikimi i eksporteve dhe krijimi i instrumenteve që kanalizojnë kapitalin e diasporës përtej patundshmërisë janë hapa të domosdoshëm. Pa një strategji të koordinuar që synon rritjen e konkurrueshmërisë dhe forcimin e bazave të prodhimit vendas, Kosova rrezikon të mbetet e ekspozuar ndaj çdo tronditjeje të jashtme dhe të ngecë në një model zhvillimi që nuk gjeneron as stabilitet, as mirëqenie afatgjatë. Tani është momenti për ta trajtuar sektorin e jashtëm jo si një numër në bilanc, por si një prioritet strategjik të zhvillimit të vendit.

Arkiv

Politika tregtare e Kosovës

Më shumë

Politikat tregtare pa mbështetje në nevojat zhvillimore dhe me efekte kontradiktore

Më shumë

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Më shumë

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Më shumë

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Më shumë

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Më shumë

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Më shumë

Sfidat ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova - Gresa Latifi

Më shumë

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare - Valentin Toçi

Më shumë

Menaxhimi i borxhit publik - Petrit Gashi

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë