Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest

Riinvest Blog

Shkruan: Vesa Arifi

Përtej iniciativave: drejtimi strategjik i Ballkanit Perëndimor

Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk vuan nga mungesa e iniciativave për bashkëpunim ekonomik. Përkundrazi, gjatë dekadës së fundit, numri i proceseve dhe agjendave rajonale është rritur vazhdimisht. Nga Procesi i Berlinit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, deri te Ballkani i Hapur dhe së fundmi Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, rajoni është përfshirë në një arkitekturë gjithnjë e më të dendur bashkëpunimi.

Në pamje të parë, kjo mund të shihet si një zhvillim pozitiv. Në fund të fundit, të gjitha këto iniciativa synojnë forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet vendeve të rajonit dhe afrimin gradual me Bashkimin Evropian. Megjithatë, shtimi i vazhdueshëm i proceseve shtron një pyetje të rëndësishme se a po i shërbejnë të gjitha ato të njëjtit objektiv?

Në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, bashkëpunimi rajonal është parë kryesisht si një mjet për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkim Evropian. Pikërisht në këtë frymë u themelua Procesi i Berlinit në vitin 2014, në një periudhë kur procesi i zgjerimit kishte humbur vrullin politik dhe nuk pritej të kishte anëtarësime të reja në një të ardhme të afërt. Mbi këtë bazë u zhvillua më pas edhe koncepti i Tregut të Përbashkët Rajonal, i mbështetur në katër liritë themelore të Bashkimit Evropian: lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

Megjithatë, me kalimin e viteve, peisazhi i bashkëpunimit rajonal është bërë më i ndërlikuar. Nisma të reja janë shtuar krahas atyre ekzistuese, shpesh me objektiva të ngjashme dhe me gjuhë pothuajse identike. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se këto procese janë kontradiktore, por e kanë bërë më të vështirë të kuptohet se çfarë roli luan secila prej tyre dhe si mund ta komplementojnë njëra tjetrën me një drejtim të përbashkët strategjik.

Nëse në të kaluarën roli i bashkëpunimit rajonal në raport me integrimin evropian shihej kryesisht si një instrument për përgatitjen e vendeve kandidate, vitet e fundit kufiri ndërmjet integrimit rajonal dhe atij evropian është bërë më i paqartë.

Kjo vihet re veçanërisht në Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian. Me Planin e Rritjes, BE-ja po ofron mundësi më konkrete për integrim gradual në segmente të tregut të vetëm edhe para anëtarësimit të plotë. Në të njëjtën kohë, Plani i Rritjes dallon nga mekanizmat e mëparshëm të financimit, sepse fondet nuk parashihen të lëshohen vetëm si mbështetje e përgjithshme për procesin e reformave. Ato lidhen më drejtpërdrejt me përmbushjen e hapave të dakorduar në Agjendat e Reformave. Me fjalë të tjera, vendet e rajonit mund të përfitojnë gradualisht nga mbështetja financiare dhe nga qasja në pjesë të tregut të vetëm, por vetëm nëse tregojnë progres të matshëm në zbatimin e reformave.

Në teori, kjo mund të përshpejtojë afrimin ekonomik të rajonit. Në realitet, megjithatë, ajo sjell edhe një sfidë të re se si të sigurohet që integrimi gradual të mbetet një hap drejt anëtarësimit dhe jo një zëvendësim i tij.

Kjo është arsyeja pse diskutimi për iniciativat rajonale nuk duhet të përqendrohet vetëm te numri i tyre apo te emrat që mbajnë. Pyetja më e rëndësishme është nëse ato po e afrojnë realisht rajonin me Bashkimin Evropian dhe nëse po krijojnë kushtet e nevojshme për anëtarësim. Në të kundërtën, ekziston rreziku që bashkëpunimi rajonal të shndërrohet si një qëllim në vetvete, dhe jo si një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një kohë kur Bashkimi Evropian po rishikon qasjen ndaj zgjerimit dhe kur konteksti gjeopolitik në Evropë po ndryshon me shpejtësi, ruajtja e këtij dallimi mbetet prioritet. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, vlera e bashkëpunimit rajonal qëndron në aftësinë e tij për të mbështetur objektivin që ka udhëhequr rajonin për më shumë se dy dekada, i cili është integrimi në Bashkimin Evropian.

 

*Ky opinion është përgatitur në kuadër të angazhimit të Institutit Riinvest në Civil Society and Think Tank Forum, një nga platformat kryesore të dialogut të shoqërisë civile në kuadër të Procesit të Berlinit.

Arkiv

Sektori i jashtëm i Kosovës: Alarmi i heshtur i ekonomisë

Më shumë

Mini "Mini Schengen" - Bleron Menzelxhiu

Më shumë

Politika tregtare e Kosovës

Më shumë

Politikat tregtare pa mbështetje në nevojat zhvillimore dhe me efekte kontradiktore

Më shumë

Një shtet i fortë dhe i besueshem – shtyllë kryesore për implementimin e suksesshëm të politikave industriale

Më shumë

Nevoja për një ridimensionim të politikës industriale në Kosovë

Më shumë

Debati mbi Politikat Industriale - Bleron Menzelxhiu

Më shumë

Botëkuptimi i ri mbi politikat industriale dhe qasja e zbatimit të tyre në Kosovë - Muhamet Mustafa

Më shumë

Përgjigje ndaj sfidave të rritjes ekonomike - Pëllumb Çollaku

Më shumë

Sfidat ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova - Gresa Latifi

Më shumë

Gradimi kreditor (credit rating) dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare - Valentin Toçi

Më shumë

Menaxhimi i borxhit publik - Petrit Gashi

Më shumë

Shkarko Raportin

Ekipi Ynë