Më 7 tetor, Instituti Riinvest prezantoi në Prishtinë Raportin e dytë për Kosovën në kuadër të iniciativës converge2eu, në margjinat e Forumit të Shoqërisë Civile dhe Think Tank-eve të Procesit të Berlinit.

Ngjarja nisi me fjalët hyrëse të Alban Hashanit, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lura Limanit, Udhëheqëse e Ekipit në Fondacionet për Shoqëri të Hapur – Ballkani Perëndimor, dhe Sh.T. Ragnar A., Ambasador i Irlandës në Hungari dhe Kosovë.

Visar Vokrri, Drejtor i Programeve në Institutin Riinvest, prezantoi gjetjet kryesore të raportit, duke theksuar se niveli i përgjithshëm i mirëqenies në Kosovë arriti në 54.5% të mesatares së Bashkimit Evropian në vitin 2025. Digjitalizimi rezulton të jetë fusha me performancën më të mirë, ndërsa dallime të konsiderueshme vazhdojnë të mbeten në arsim, shëndetësi, mjedis dhe infrastrukturë. Raporti vlerëson konvergjencën e Kosovës në tetë dimensione kryesore të mirëqenies, duke ofruar një pasqyrë të bazuar në të dhëna mbi përparimin e vendit drejt standardeve të jetesës në BE dhe duke identifikuar fushat ku nevojiten ndërhyrje të mëtejshme përmes politikave publike.

Pas prezantimit u zhvillua diskutimi në panel me temën “Ngushtimi i hendekut – Rruga e Kosovës drejt konvergjencës me BE-në”, i moderuar nga Branimir Jovanovic, nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw). Në panel kontribuuan Jeton Mehmeti, Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Boguslaw Gertruda, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe Agon Maliqi, Bashkëpunëtor i Lartë Jo-rezident në Atlantic Council.

Diskutimi u përqendrua në sfidat e Kosovës në procesin e konvergjencës me BE-në, rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe konkurrueshmërisë ekonomike, si dhe rolin e Bashkimit Evropian në përshpejtimin e reformave. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për politika të bazuara në të dhëna dhe dëshmi, integrim më të thellë rajonal dhe evropian, si dhe reforma që e përkthejnë përparimin ekonomik në përmirësime konkrete të standardit të jetesës së qytetarëve.