Sot, Instituti Riinvest prezantoi raportin më të fundit, "Çfarë miksi i energjisë na duhet?", në prani të përfaqësuesve të institucioneve publike të nivelit qendror dhe lokal, komunitetit të biznesit, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertëve të energjisë, ku u diskutuan çështje kyçe mjedisore për të ardhmen energjetike të Kosovës.
Raporti u prezantua nga z. Luan Shllaku, ndërsa pasuan diskutimet me panelin e të ftuarve: z. Trim Tërnava, CEO i SunVolta Energy Kosova, z. Bernard Nikaj, anëtar i kryesisë së PDK-së, z. Besim Veselaj nga Departamenti i Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Luan Shllaku nga Instituti Riinvest, me moderim nga Bujar Pira.
Gjatë diskutimit, panelistët shqyrtuan pyetje të rëndësishme si:
• A mund të arrijë Kosova aspiratat e saj të integrimit evropian duke përmbushur njëkohësisht qëllimet ambicioze të Agjendës së Gjelbër, sidomos për sa i përket varësisë nga linjiti?
• Cili është kompromisi i mundshëm midis rritjes ekonomike, sigurisë energjetike dhe qëndrueshmërisë mjedisore?
• Si mund të duket një miks energjetik optimal për Kosovën, duke pasur parasysh kufizimet e linjitit dhe modelet e zhvillimit bazuar në Agjendën e Gjelbër të BE-së?
Diskutimi përfshiu gjithashtu nevojat energjetike afatshkurtra të Kosovës dhe mënyrat për krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe afatgjatë, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të sektorit energjetik, infrastrukturën ekzistuese dhe potencialin për investime të reja në teknologjitë e energjisë së rinovueshme.