Në kuadër të aktiviteteve për zbatim të projektit "POLICY ANSWERS" (HORIZON EUROPE) të mbështetur nga Komisioni Evropian si dhe platformës "Green Action Space" ( RIINVEST &KFOS), gjatë kësaj jave u zhvillua një punëtori dhe diskutim i angazhuar lidhur me arritjet e Kosovës për të zbatuar zotimet nga Agjenda e Gjelbër e Ballkanit Perëndimor me një përqendrim tek nevoja e krijimit të sinergjive në planin institucional por edhe bashkëpunimi me institucionet kërkimore e shkencore, komunitetin e biznesit, shoqërinë civile dhe mediat.
Hulumtues nga Instituti Riinvest, përfaqësues nga ministritë relevante shtetërore, shoqëria civile si dhe ekspertë të pavarur dhe media, prezantuan arritjet në rrugën që kemi përpara për të vënë në jetë zotimet shumë kërkuese nga Agjenda e Gjelbër e mbështetur e fuqizuar nga Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrësit diskutuan arritjet e deritashme si dhe vështirësitë lidhur me përcaktimin e politikave dhe strategjive, si dhe kornizës ligjore, duke parashtruar gjithashtu edhe zgjidhjet e mundshme me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve për jetësimin e tyre.
Në kuadër të projekteve të përmendura, Instituti Riinvest ka marrë si prioritet dekarbonzimin, ekonominë qarkore, dhe mbrojtjen e mjedisit – përkatësisht zvogëlimin e ndotjes së ujit dhe ajrit. Me këtë rast u theksua se para institucioneve të Kosovës dhe bizneseve në shumë sektorë shumë shpejt do të dalin obligime serioze lidhur me dekarbonzimin duke përfshirë edhe taksën e karbonit që do të kontribuojë dukshëm në përmirësimin e mjedisit (duke e reduktuar emetimin e dyoksidit të karbonit në nivelet e vitit 1990 deri në vitin 2030) por që në anën tjetër kërkon adresimin e implikimeve mjaft serioze në eksportin e produkteve intensive në pikëpamje të emetimit të karbonit në sektorë të caktuar si energjia, minierat, materialet ndërtimore, etj.
Ky është një proces jo i lehtë adaptimi dhe transformimi. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore parashtruan progresin, obligimet si dhe sfidat institucionale që dalin karshi zotimeve nga kjo marrëveshje. Ndër të tjerash u theksua roli i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërinstitucional, aspektet ligjore dhe gjendja faktike në terren sa i përket ndotjes së mjedisit. Inputet e marra nga kjo punëtori do t'u përcillen akterëve në formë të konstatimeve dhe rekomandimeve.