“Ndihem shumë i nderuar që po marr pjesë në konferencën tuaj kushtuar 10-vjetorit të “Riinvest”-it. E përshëndes 10-vjetorin e Institutit tuaj, këto janë 10 vjet pune të frytshme, për ju dhe për Kosovën në vitet e vështira dhe tash në vitet në liri të vendit tonë. Ky jubile i rëndësishëm është stimulant për të vazhduar veprimtarinë e frytshme. Në këtë ditë jubilare, ju do të diskutoni për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës. Kjo do të jetë me rëndësi për Kosovën dhe institucionet e saja demokratike tash kur po përgatiten projekte të mëdha nacionale afatmesme mbi zhvillimin ekonomik të saj. Besoj se nga ky debat do të dalin konkludime me vlerë për institucionet tona. Po ashtu ne, në të gjitha fushat ekonomike duhet të angazhohemi, të gjejmë forma për sigurinë e investimeve që kemi filluar dhe për forma të tjera që sigurisht do të përfshihen në këto dy projekte të mëdha. Për çështjet me të cilat merret ‘Riinvest”-i, për Kosovë pra, për çështjet ekonomike e të tjera, është me rëndësi njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës.
Me këtë rast me dekret të veçantë kam vendosur ta dekoroj me “Medaljen të Artë të Pavarësisë”, Institutin “Riinvest” në dhjetëvjetorin e punës për meritat e tij, për liri, pavarësi dhe demokracinë e Kosovës dhe kontributin në zhvillimin ekonomik dhe të projektimit të së ardhmes së Kosovës.”
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës
14 maj 2005