Në praninë e hulumtuesve, gazetarëve, studentëve, ekspertëve të komunikimit dhe zhvillimit softuerik, dhe të tjerëve, Instituti Riinvest, lansoi Platformën Elektronike të Shpërndarjes së të Dhënave dhe Aplikacionin për Mobil, të dy këto projekte të mbështetura nga “Open Society Foundation – Think Tank Fund”.
Platforma elektronike e shpërndarjes së të dhënave përmban të dhëna të mbledhura nga ekipet hulumtuese të Riinvestit përgjatë një periudhe 13 vjeçare, nga viti 2000 deri më 2013.
Këto të dhëna janë mbledhur duke përdorur metodologjitë më të avancuara të anketimit për studime socio-ekonomike, dhe duke mbuluar mostra reprezentative të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) të cilat operojnë në Kosovë. Të dhënat përmbajnë 72 indikatorë që mbulojnë fusha të ndërlidhura me zhvillimin e sektorit privat sikurse: karakteristikat dhe performanca e ndërmarrjeve, investimet kapitale dhe praktikat biznesore, si dhe barrierat e të bërit biznes.
Për më tepër këto të dhëna evidentojnë zhvillimet në sektorin privat në Kosovë të një periudhë kohore për të cilën ka shumë pak të dhëna në dispozicion.
Ndërsa, Aplikacioni Mobil i Riinvestit në dispozicion në sistemet operuese iOS dhe Android, i cili tani mund të shkarkohet në “App Store” dhe “Google Play Store”, iu mundëson përdoruesve të kenë qasje më të lehtë dhe më të përshtatshme në të gjithë përmbajtjen e publikuar të Riinvest-it, duke përfshirë lajmet, publikimet, video-materialet, dhe materiale të tjera të publikuara nga instituti.
Ndërkohë, Kalkulatori i Riinvest është njëri prej pjesëve kryesore të aplikacionit, kalkulator ky i cili përmban 9 kalkulatorë të ndryshëm që mundësojnë përdoruesve të llogarisin shpenzime të ndryshme ditore, si dhe kalkulatorin e këmbimit valutor.
Ky projekt është i mbështetur nga “Open Society Foundation – Think Tank Fund”, misioni i të cilit është ndërtimi i shoqërive tolerante, me qeverisje të hapura dhe llogaridhënëse, duke inkurajuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve.